Menjëherë pasi KAS publikoi vendimin në lidhje me ndeshjen Serbi- Shqipëri, duke i dhënë pikët e mohuara Kombëtares kuqezi, ka reaguar dhe kapiteni I Kombëtares Lorik Cana.
Mbrojtësi kosovar në një prononcim për Top Channel u shpreh I lumtur për pikët e marra, duke shtuar që drejtësia më në fund shkoi në vendin e saj.
Të gjithë jemi të gëzuar që drejtësia triumfoi, sepse ishim ne të drejtën tonë, por dhe se përpjekjet për të mbrojtur qëndrimin tonë, në fund rezultuan të suksesshme. Kjo duhet të jetë një motiv shtesë për ne që të realizojmë ëndrrën e të gjithëve për të shkuar në Europian”, tha Cana.
Kapiteni ka deklaruar se mbështetja e madhe e tifozëve kuqezi, është një tregues i qartë që ekipi kombëtar është në rrugën e duhur.
“Që në edicionin e kaluar, të gjithë e kanë parë që është duke lindur një erë e re në ekipin kombëtar, po i bëjmë gjërat me një dashuri dhe krenari shumë të madhe. Po e shohim sa njerëz bëhen të lumtur kur skuadra po fiton dhe se çfarë feste po bëhet në qytetet ku ne luajmë. Kjo na ndihmon, pasi tregon se jemi në rrugën e duhur”, ka vazhduar ai.
“Të gjithë kundërshtarët do të përballen me një Shqipëri të fortë dhe kjo të jep shpresë se ne mund të marrim pikë, por ju e dini se futbolli nuk është shkencë. Është shumë e vërtetë që mundësitë janë më të mëdha se kurrë, por ne na pret pjesa më e vështirë e rrugës, por jemi shumë të përgatitur për t’i shkuar deri në fund” – përfundoi Cana.