Te Tomori është konfirmuar zyrtarisht kreu i bankinës, që do të drejtojë ekipin për sezonin e ardhshëm. Ashtu siç edhe e kishte lajmëruar një ditë më parë gazeta “Panorama Sport”, dje është bërë prezantimi i teknikut të ri, Eqerem Memushi. Ajo që pritej me interes, ishin emrat e tjerë të stafit teknik. Madrid Muxhaj, i cili deri dy ditë më parë ishte trajneri i Tomorit, tashmë kalon në rolin e zv/teknikut. Ndërsa Elton Fani do të vijojë si fizioterapist te beratasit. Prezantimi është bërë në ambientet e stadiumit “Tomori”, ku i pranishëm ishte edhe shefi i klubit, Polizoi Kuqo. Trajneri vlonjat kthehet të drejtojë ekipin beratas për herë të tretë në harkun kohor të po tri viteve. Si në vitet e mëparshme, edhe tani, vlonjati do të ketë në dorë krijimin e ekipit për sezonin 2014-2015. Eqerem Memushi edhe në dy herët e mëparshme ka marrë drejtimin e ekipit përpara merkatos verore. Tashmë pritet me mjaft interes se cila do të jetë organika e ekipit. Tomori aktualisht nuk ka asnjë lojtar nën kontratë dhe krijimi i skuadrës do të bëhet nga e para. Me shumë gjasa, kontingjenti me lojtarë të rinj do të jetë sërish pjesë e ekipit beratas. Gjithashtu mund të ketë rinovime edhe nga një pjesë e mirë e senatorëve.
Ekipi i Tomorit prezanton Eqerem Memushin
2014-07-20 00:03
Burimi:WWW.SYZEZIPRESS.COM
Burimi:WWW.SYZEZIPRESS.COM