Ofendime pa fund dhe në fund një shfaqje e shëmtuar, me goditje me gurë e fishekzjarrë, që rrezikuan kokat e forcave të rendit dhe sigurisht qindra tifozëve. Një tjetër ndeshje ka qenë dje në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”, por që i ngjante një guerilje mes tifozërisë së Flamurtarit dhe Skënderbeut. FSHF, si organizatore e takimit, kishte vendosur në tribunën D1 tifozët vlonjatë, ndërsa në D2 ata korçarë. Në një stadium, ku nuk kishte më shumë se 2200 shikues, mendohej se s’do të kishte shenja dhune, por nuk qe e thënë. Fillimisht pati ofendime në kor nga të dyja tifozëritë, që janë bërë rëndom mes vlonjatëve dhe korçarëve. Madje ultrasit vlonjatë nisën të përmendnin edhe emrat e bashkëshorteve të futbollistëve të Skënderbeut. Ndërprerja e parë e lojës erdhi në minutën e 37-të, teksa kapitenët Shkëmbi e Veliu këshilluan tifozët të qetësoheshin. Por, kur mendohej se gjithçka do të kalonte vetëm me ofendimet në kor, shpërtheu revolta. Nisur edhe nga afërsia që kishin me tribunat, dy tifozëritë filluan të qëlloheshin me gurë në distancë. Ka qenë minuta e 80-të e takimit, atëherë kur edhe policia është kapur gafil, pasi nuk priste një rebelim të tillë. Situata doli jashtë kontrollit, teksa tifozët e pranishëm në tribunën A e B, si dhe lojtarët në fushë, shikonin se si fluturonin gurët në sektorët D1 dhe D2. Masa emergjente e policisë ishte shpërngulja e tifozëve korçarë afër tribunës D3, por derisa kjo u realizua breshëritë e gurëve dhe fishekzjarrët vijonin pa pushim. Mësohet se disa tifozë, që u pikasin teksa gjuanin me sende të forta, u shoqëruan në polici.
Finalja e turpit:
2014-08-18 15:44