Xhani De Biazi ka shpallur dje listën e lojtarëve për tri ndeshjet miqësore kundër Rumanisë, Hungarisë dhe San Marinos. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka grumbulluar për herë të parë mbrojtësin 20-vjeçar të Luzernës në Zvicër, Fidan Aliti, si dhe sulmuesin e Kukësit, Sokol Cikalleshi. Gjatë konferencës për shtyp nga ambientet e FSHF-së, italiani i shoqëruar nga menaxheri i kuqezinjve, Alban Bushi, ka deklaruar ndër të tjera se sulmuesi kosovar, Besart Berisha, nuk është gati për t’u rikthyer në Kombëtare. Megjithatë, De Biazi ka lënë sërish një derë hapur për golashënuesin që luan në Australi. Fillimisht trajneri tregoi planin për tri miqësoret dhe mungesat në listën e publikuar dje. “Së pari, dëshiroj t’i falënderoj lojtarët e mi, pas përfundimit të kampionateve. Kanë konsumuar shumë energji dhe për 12 ditë nga pushimet e tyre do të jenë me Kombëtaren. Do të luajmë tri ndeshje miqësore, të cilat i çmoj si shumë të rëndësishme në prag të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2016. Kemi për fat të keq shumë lojtarë që kanë pasur probleme. Jahmir Hyka, Migjen Basha, Odise Roshi, Alban Meha dhe Taulant Xhaka janë të dëmtuar, por ata mbeten pjesë e projektit tim. Lojtarët që kanë pësuar dëmtime më të rënda janë Ledian Memushaj dhe Armando Sadiku, të cilët do të jenë jashtë fushave gjashtë apo shtatë muaj. Dëshiroj t’i përqafoj fort ata, për t’u thënë se i presim dhe se kam besim. Jashtë liste është edhe Ervin Bulku, por edhe pse nuk është thirrur për këto miqësore, e njoh mjaft mirë dhe është pjesë e projektit”, – ka thënë ndër të tjera kreu i pankinës. Për më tepër, ja si iu përgjigj italiani pyetjeve të gazetarëve:
Për çfarë do t’u shërbejnë këto tri ndeshje miqësore?
Ndeshjen e fundit miqësore e kemi zhvilluar më 5 mars ndaj Maltës, ku fituam 2-0, kështu që edhe këto tre takime do të na shërbejnë për të punuar më shumë me skuadrën. Qëllimi është për të kuptuar në çfarë pike jemi dhe se çfarë vlerash ka kjo skuadër. Edhe lojtarët kanë mundësi të njihen më mirë me njëri-tjetrin.
Problemi më i madh i Kombëtares gjatë edicionit të kaluar ka qenë sulmi. Si keni menduar ta zgjidhni dhe çfarë mund të përfitoni nga këto tri ndeshje?
Këto ndeshje do të na vlejnë, për të testuar dhe kundërshtarët që kemi përpara nesh, të paktën nga dy ndeshjet e para me Rumaninë dhe Hungarinë, të cilat mendoj se kanë cilësi më të mëdha sesa skuadra jonë. Për këtë motiv, ne do të kërkojmë të ambientohemi me ta, pasi kanë lojtarë të një niveli të lartë, kështu që do të synojmë të përshtatemi me ndeshje të vuajtura nga një pikëpamje. Sigurisht, që Rumania nuk është Portugalia, por sipas meje ka një nivel të mirë. Për sulmin jam duke vlerësuar se cilët lojtarë mund të kemi në dispozicion. Kam thirrur disa dhe ne duhet të punojmë me ta, edhe për të parë se në çfarë gjendje janë dhe për të bërë me ta punën më të mirë të mundshme.
Keni pritur një përgjigje nga Besart Berisha, a do të rikthehet në Kombëtare?
Pas ftesës së bërë nga ana jonë dhe një reflektimi të gjatë, Berisha ka vendosur të mos luajë për Kombëtaren, pasi është tepër larg dhe ardhja e tij është shumë problematike. I duhet të udhëtojë nga Australia në Shqipëri, apo në vendet ku ne duhet të luajmë. Por, ai nuk është se ka mbyllur përfundimisht gjithçka, pasi na e ka lënë të hapur bashkëpunimin. Nëse vitin tjetër do të ketë mundësinë të luajë në Europë, ai do të na bashkohet.
Ju keni një kohë të gjatë në Shqipëri dhe sigurisht keni krijuar edhe miqësitë tuaja. A ka pasur ndonjëherë presion apo ndërhyrje te ju, për lojtarë të ndryshëm?
Nuk e prisja këtë pyetje nga ju (i drejtohet gazetarit të “Panorama Sport”). Nuk kam pasur kurrë ndërhyrje, nuk kam pasur presion nga askush. I vetmi presion që kam pasur ka qenë nga ndihmësi im, Paolo Tramexani, dhe tani nga ndihmësi im i ri, Altin Lala. Llogaritë i bëjmë sipas tri kokave tona dhe gjendjes fizike që kanë lojtarët. Ndonjë presion tjetër apo ndërhyrje nuk kam.
Çfarë do të bëhet në të ardhmen, qoftë me Samir Ujkanin apo me Loret Sadikun. A do të jenë ata pjesë e Shqipërisë?
Ujkani është i dëmtuar dhe nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës në ndeshjen kundër Turqisë. Për sa i përket Sadikut, ai është thirrur nga trajneri Bunjaku, por nuk është përgjigjur, pasi është në ndeshjet e kampionatit suedez. Janë situata që do t’i zgjidhin ata vetë.
Para pak javësh ndoqët ndeshjen e Shpresave kundër Italisë B. A patë ndonjë element që mund të përfshihet në Kombëtaren e madhe?
Sigurisht që pashë lojtarë interesantë. Por, ata duhet të presin për të qenë pjesë e Kombëtares A, pasi u mungojnë disa aspekte shumë të rëndësishme, si eksperienca e gjendja fizike, sepse ne do të zhvillojmë takime me kundërshtarë të rëndësishëm. Do të ishte e vështirë për ta edhe nga pikëpamja fizike. Ata lojtarë janë duke bërë një punë shumë të mirë nën drejtimin e Skënder Gegës, kështu që kur të jenë gati do t’i ftojmë.
Situata te Lacio për dy lojtarët shqiptarë është e ndryshme. Nëse Etrit Berisha vlerësohet si një nga portierët më të mirë të huaj në Serinë A, Lorik Cana është në largim e sipër. Cili është informacioni që keni?
Në fakt, në lidhje me situatën e tyre te Lacio, të paktën tani për tani, nuk kam ndonjë gjë konkrete, sepse pres të marr informacione direkt nga lojtarët. Nuk duhet të hyj në problemet private që u përkasin lojtarëve të ndryshëm në lidhje me klubet ku ata luajnë. Unë i zgjedh lojtarët në bazë të faktit se, nëse luajnë apo nuk luajnë, apo nëse bëjnë pjesë apo jo në projektin tim. Unë besoj se Berisha do të jetë portieri titullar për sezonin e ardhshëm të Lacios. Për sa i përket Lorikut, do ta pyes atë kur të vijë në grumbullimin me Kombëtaren.
Sipas vlerësimit tuaj, kush ka qenë lojtari më i mirë dhe më i keq nga futbollistët e Kombëtares gjatë sezonit që sapo u mbyll?
Është një pyetje, përgjigja e së cilës vlen 100 milionë dollarë (qesh). Në lidhje me lojtarët që kam grumbulluar, besoj se kanë pasur një sezon shumë më të mirë se të tjerët, një rendiment më të mirë me skuadrat e tyre. Për shembull, Shkëlzen Gashin e kam thirrur, pasi ai ishte golashënuesi më i mirë i Serisë A zvicerane. Më surprizoi me paraqitjen e tij gjatë këtij sezoni. Po kështu edhe Edmond Kapllani ka luajtur mirë me ekipin e tij, FSV Frankfurt. Gjithashtu Sokol Cikalleshi, i cili vjen nga Kukësi, ka dhënë sinjale pozitive sa i përket shënimit të golave dhe paraqitjes. Është një lojtar i dashuruar me futbollin.
Diskutuat me trajnerin e Kosovës, Albert Bunjakin. Cilat ishin konkluzionet?
Ishte një bisedë shumë pozitive dhe konstruktive. Ky takim ishte shumë i rëndësishëm për mua, për të kuptuar edhe se cilat ishin qëllimet e kolegut kosovar. Ai u tregua mjaft i disponueshëm, për të këmbyer informacione për lojtarët kosovarë që njihen prej tij dhe luajnë në Europë. Bunjaku iu përgjigj pozitivisht ftesës për të bashkëpunuar me ne, kjo dhe për faktin se ne do të luajmë në kualifikueset e kampionatit europian, ndërsa ata do të zhvillojnë vetëm ndeshje miqësore, që janë edhe më pak interesante dhe më pak të forta, nga ato që do të përballemi ne.
Duke iu rikthyer takimit me trajnerin e Kosovës, a ju siguroi ai që, nëse Shqipëria do të ketë nevojë për disa lojtarë të tij, do t’i lejojë?
Bashkëpunimi ynë do të jetë i gjithanshëm. Këta ma konfirmoi Alberti edhe në takimin tonë. Skuadrat tona duhet të kenë një farë stabiliteti, kur bëhet fjalë për lojtarët. Ramë dakord që, kur një lojtar luan në Kosovë dhe ka paraqitje të mrekullueshme ta marrim në konsideratë, do të jetë një avantazh për ne në termat e rritjes së skuadrës. Ai i di më mirë se mua, se ekuilibrat janë shumë të brishtë, kështu që kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Kështu që, kur do të kemi mundësi, do të marrim edhe lojtarë nga përfaqësuesja e Kosovës.
Ilir Azemi, i cili ka shënuar shumë gola me Grojter Fyrthin, a mund të jetë një kandidaturë për Kombëtaren tonë?
Po, nëse ai do të vendosë të luajë për ne. Nga ana e Bunjakut nuk ka asnjë pengesë që Azemi të luajë për Shqipërinë.
Gjasula pse është jashtë: për shkak se ju kritikoi publikisht, apo se ka qenë jashtë forme?
Mendoj se përgjigjen e kësaj pyetjeje e dini. Unë kam thirrur ata që kanë shfaqur formën më të mirë. Gjasula nuk është thirrur, pasi nuk është në planet e mia për ndeshjet miqësore. Besoj se jam i qartë…
Ju thatë se këto miqësore do t’i shërbejnë skuadrës për të testuar lojtarët që keni thirrur, ndërkohë që ky nuk është komplet grupi. A do të vlejnë këto ndeshje për eliminatoret apo do të vazhdoni me eksperimentet që kemi parë në miqësore?
Na duhet të ambientohemi edhe për të jetuar me situatat emergjente, kështu që duhet të shohim edhe këto gjëra gjatë verës, përpara se të fillojë kampionati dhe kualifikueset. Unë besoj se na duhet të kemi dhe alternativa për ata që na mungojnë dhe, sipas meje, kjo është shumë e rëndësishme e thelbësore.
Dy ditë më parë Besnik Hasi fitoi me Anderlehtin kampionatin belg. A keni një mesazh për ish-kapitenin e Kombëtares?
E vlerësoj shumë dhe ka respektim tim të plotë, pasi ka fituar me një skuadër të madhe si Anderlehti titullin e parë të tij në karrierën si trajner.
Aliti dhe Cikalleshi, surprizat e De Biazit për miqësoret
Trajneri i kombëtares kuqezi, De Biazi, ka dhënë një konferencë për shtyp në mjediset e FSHF-së të hënën, paraprakisht, ndërsa ka shpllur edhe listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për tri miqësoret e radhës. Bie në sy një emër i ri, Fidan Aliti, 20-vjeçari që luan me Luzernën në Zvicër, i pagrumbulluar asnjëherë më parë me kombëtaren. Rikthim bëjnë shkodrani Armando Vajushi, Debatik Curri, Sabien Lilaj dhe Elseid Hysaj. Nga kampionati shqiptar ka një prurje të re, që është Sokol Cikalleshi, sulmuesi i Kukësit. Në total do të jenë 21 futbollistë nën urdhërat e De Biazit. Kujtojmë se Shqipëria do të luajë më 31 maj në Zvicër kundër Rumanisë, në orën 19:00. Katër ditë më pas do të zhvillojë miqësoren e dytë, në Budapest, kundër Hungarisë, në orën 20:30, dhe më datë 8 qershor sfidon San Marinon, në orën 20:30, në fushën e kësaj të fundit. Kombëtarja ka rastin të provojë elementë të rinj dhe që kanë pasur pak hapësira aktivizimi në të shkuarën, në mungesë të shumë lojtarëve të tjerë titullarë, pjesa më e madhe për arsye dëmtimesh. Interesant është fakti se Debatik Curri figuron në listën e dy kombëtareve, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, por duket se mbrojtësi do të vijojë paraqitjen me fanellën kuqezi, pjesë e së cilës ka qenë në të kaluarën, madje me një rol të rëndësishëm. Dëmtimi e ka lënë jashtë për disa kohë atë, por ndryshimi i klubit dhe aktivizimi i rregullt me Sevastopol duket se i ka dhënë një mundësi tjetër për të treguar veten në përfaqësuesen e drejtuar nga De Biazi. Sokol Cikalleshi, sikurse thamë më sipër, ka fituar një grumbullim në Kombëtare pas një sezoni tejet pozitiv, teksa shënoi 17 gola në 25 ndeshje të luajtura me fanellën e Kukësit. 23- vjeçari ka qenë edhe më përpara në orbitën e Kombëtares, por nuk pati marrë asnjë ftesë zyrtare. Tanimë do jetë rasti që ai të tregojë nëse mund të jetë i vlefshëm për De Biazin apo jo. Sakaq, kujtojmë se Cikalleshi ka edhe mundësinë që të përfitojë nga fakti se Armando Sadiku është dëmtuar rëndë (këputi ligamentet e gjurit) dhe do të mungojë të paktën 6 muaj, teksa edhe lojtarë si Bekim Bala dhe Edgar Çani kanë treguar një formë të dobët sportive, çka ka bërë që tekniku të largojë vëmendjen prej tyre.
Sakaq, De Biazi nuk do të ketë në dispozicion të dëmtuarit e kohëve të fundit: Armando Sadiku, Ledian Memushaj, Migjen Basha, Jahmir Hyka, si dhe Taulant Xhaka, Burim Kukeli, Vullnet Basha dhe Ilir Berisha.
Ja 20 emrat e ftuar nga De Biazi për tri miqësoret e radhës:
PORTIERË
Etrit Berisha - (25 vjeç, Lacio)
Orges Shehi - (36 vjeç, Skënderbeu)
MBROJTËS
Lorik Cana - (30 vjeç, Lacio)
Andi Lila - (28 vjeç, PAS Janina)
Ansi Agolli - (31 vjeç, Karabak)
Mërgim Mavraj - (27 vjeç, FC Këln)
Debatik Curri - (29 vjeç, Sevastopol)
Fidan Aliti - (20 vjeç, Luzern)
Ermir Lenjani - (24 vjeç, St. Gallen)
Elseid Hysaj - (20 vjeç Empoli)
MESFUSHORË
Amir Abrashi - (24 vjeç, Grasshopers)
Ergys Kaçe - (20 vjeç, PAOK)
Emiljano Vila - (26 vjeç, PAS Janina)
Valdet Rama - (26 vjeç, Real Vajadolid)
Sabjen Lilaj - (25 vjeç, Skënderbeu)
Armando Vajushi - (22 vjeç, Liteks Loveç)
SULMUES
Edmond Kapllani - (31 vjeç, FSV Frankfurt)
Hamdi Salihi - (30 vjeç, Hapoel Ironi Ako)
Shkëlzen Gashi - (25 vjeç, Grasshopers)
Sokol Cikalleshi - (23 vjeç, Kukësi)