SYZEZI SPORT NEWS
Ekstazë
Mbi trotuarin e “Bankë”-s, shitet “Bar Miu”. Rrëzë murit të “Change”-it tregëtohet “Far Djathi”. Mbi vetrinën e “Fustane Nusërie”, janë nderë të mbathura. Mbi restorantin ku hahet mish viçi dhe pihet raki’, lexohet “Mish Derri i Freskët”. Atje ku lexon “Berber”, është instaluar një zgarë prushi me pula të shkuara në hell. Në “Farmaci” nuk kuptohet se nga mund të hysh veçse nëpërmjet derës së dyqanit ku shiten patate me shumicë futur në thasë. Para një “Cash Point”-i mbajnë rradhë për të tërhequr pare pesë shqiptarë; Njëri me mustaqe, tjetri pa dhëmbë, një ushtarak, një hunderr, i pesti me një shenjë thike në faqe. Në një dyqan në murin e të cilit mbështetet “Cash Point”-i, oriz, sheqer, patate, makarona, kopertona bicikletash, vajra makinash, shapka. Tek “Travel Agency” luhet Bilardo dhe vihen Baste Sportive. “Këpucë të Vjetra” rrinë varur mbi ca kosha me presh. Ngjitur me koshat blegërijnë dy qingja të bardhë që e nuhasin se pas pak do theren. “Pastiçeri”-a i bën karshillëk një guve të errët pa dritare që quhet “Rostiçeri”. Brenda "Rostiçerisë" shqiptarë të kërrusr kullufisin male mishi shoqëruar me pilaf dhe kos. "Qilima"-t e varur në trotuar mbulojnë tabelën e “Telefona Celularë Orëndreqës”. “Elektroshtëpiake” ka mbushur trotuarin me hekurishta të ndryshkura. “Klinikë Dentare” që ndoshta ndodhet në ndonjë kat të epërm, ka vetëm tabelën. “Sallon Bukurie” dhe “Shërbime Funerale” i ndan një derë e vogël dërrase mbyllur me lloz që s’merret vesh ku të degdis. Një kamion i ndalur, shoferi i të cilit ka ikur në drejtim të paditur, është futur së prapthi në një si magazinë. Një e treta e kamionit brënda në magazinë, e treta tjetër mbi trotuar, e treta e tretë ka blllokuar gjysmën e rrugës. Disa “Piceri”. Pesë a gjashtë “Ëmbëltore”. “Dyer të Blinduara” sa duket ka blinduar edhe vetveten përderisa është mbyllur dhe nuk ka asnjë shënim kur mund të hapet. “Fotograf”-i ka përmbledhur në gjirin e vet “Internet Kafe”, “Lojra Kompjuterike në Rrjet”, “Punime Duroalumini”. “Fizioterapist”-i rri sikletshëm me një “Class Restorant” sipër, një “Picaso Bar” nga e majta, dhe “Gëlqere” nga e djathta. Tek “Berber”-i nuk mund të rruhesh as të qethesh sepse nga brenda del tymi i pulave hungareze të pjekura në hell. Një Golf 4 me 5 veta në bord që po provon të hyjë i tëri në një dyqan gjatë manovrës hedh përtok’ një motoçiklist me Honda. Një Benz i madh me të gjitha dritat ndezur ka bllokuar rrugën. Nga një furgon i vjetër plot zhurmë e tym bien mbi asfalt ca arka bosh.
Syzezi Sport News