Αναζήτηση στο site

Επαφή

www.syzesipress.com
syzezi berat albania

6975825173

sollakugr@yahoo.com

Δημοσκόπηση

Kush fiton ndeshjen

Σύνολο ψήφων: 77

KOMBETARJA GRUMBULLOHET PER MIQESORET :

2014-05-29 17:33
 

stervitja e kombetares 1 stervitja e kombetares 2Kombëtarja shqiptare ka startuar dje seancën e parë stërvitore për tri ndeshjet miqësore të programuara ndaj Rumanisë, Hungarisë dhe San Marinos. Futbollistët që luajnë në Kategorinë Superiore (Orges Shehi, Sabjen Lilaj dhe Sokol Cikalleshi), por edhe Andi Lila, Ansi Agolli, Emiljano Vila dhe Armando Vajushi, të cilët kanë qenë gjatë këtyre ditëve me pushime në Shqipëri, kanë udhëtuar së bashku me delegacionin e FSHF-së, drejt Zvicrës. Ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve të Kombëtares, të cilët luajnë në kampionate të ndryshme të Europës, u janë bashkëngjitur ekipit në Yverdon, nëpërmjet linjave të tjera ajrore ose tokësore.
Stërvitja - Sakaq, trajneri Xhani de Biazi ka grumbulluar ekipin në një seancë stërvitore në orën 17:30, në të cilën është munduar më së shumti që të shikojë gjendjen fizike të çdo lojtari. Për ndeshjen e kësaj të shtune ndaj Rumanisë, tekniku nuk do të ketë në dispozicion Mërgim Mavrajn, të cilit i ka dhënë leje për shkak të impenjimeve familjare (marton të vëllanë), ndërsa do jetë Elseid Hysaj. Shkodrani do të mungonte në këtë ndeshje, nëse do të luante me Empolin në kampionatin italian (të shtunën luhet java e fundit), por të dielën e kaluar lojtari u ndëshkua me karton të kuq në përballjen Çitadela-Empoli, ndaj është i pezulluar. Kështu, Hysaj ka përfituar nga rasti që t’i bashkohet kuqezinjve që në seancat stërvitore për takimin me Rumaninë.
Programi - Ndërkohë, sot De Biazi ka programuar dy seanca stërvitore: paradite në 10:30 dhe pasdite në 17:30. Edhe nesër do të mbahet i njëjti ritëm, ndërsa të shtunën tekniku do t’i bëjë ekipit një stërvitje të lehtë paradite dhe pas takimit, një seancë të shkurtër me vetëm lojtarë që nuk do të aktivizohen gjatë ndeshjes me Rumaninë. Pas përfundimit të këtij takimi, më datë 1 qershor Kombëtarja do të udhëtojë për në Hungari, ku do të ndeshet me kombëtaren vendëse më 4 qershor në stadiumin “Ferenc Pushkash” në orën 20:30. Edhe këtu do të ruhet i njëjti ritëm i seancave stërvitore, me nga dy në ditë. Më 5 qershor skuadra do të udhëtojë për në San Marino. Ndeshja e tretë do të zhvillohet më 8 qershor në stadiumin olimpik të “Seravalle”- s, kundër San Marinos, në orën 20:30.
Piturka - Rezultati i ndeshjes me Shqipërinë është shumë i rëndësishëm për një pjesë të mirë të lojtarëve të Rumanisë, të grumbulluar rishtazi nga trajneri Viktor Piturka. Në një intervistë dhënë mediave rumune, ditën e djeshme tekniku ka bërë me dije se edhe pse kemi të bëjmë me një miqësore, ajo do të jetë një provë për një pjesë të konsiderueshme të lojtarëve që sapo janë grumbulluar në skuadër. “Unë dua që të fitoj si me Shqipërinë dhe me Algjerinë. Ndaj nga rezultati i këtyre ndeshjeve do të varet edhe thirrja ose jo e disa lojtarëve, të cilët i kam marrë në provë për këto dy ndeshje. Nëse ata do të luajnë mirë dhe do më japin garanci, atëherë do të jenë pjesë e skuadrës edhe për ndeshjet kualifikuese të Europianit, në të kundërt, nuk do t’i grumbulloj më”. Rumania është shortuar në grupin F për kualifikimet e EURO 2016-s me Greqinë, Hungarinë, Finlandën, Irlandën e Veriut dhe Ishujt Faroe.

Nis shitja e biletave, por nuk ka fluks
Sipas përfaqësuesit të grupimit “Tifozët kuqezi” në Zvicër, Artim Elmazi, dje ka nisur shitja e biletave. Deri në orët e vona të pasdites ishin shitur jo më shumë se një mijë bileta, nga ku 230 janë marrë nga grupimi “Tifozët kuqezi”. Sakaq, dje këta të fundit kanë bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në afërsi të Yverdonit, ku do bëhet ndeshja, që të vijnë në masë në stadium. Sakaq, bileta më e shtrenjtë për këtë ndeshje është ajo e tribunës qendrore, e cila kushton 59 franga zvicerane, ose më mirë 68 mijë lekë. Ndërsa në tribunën lindore bileta kushton 49 franga (57 mijë lekë). Pjesa tjetër e stadiumit është e ndarë në zona: lindore, jugore dhe veriore, të cilat kanë këto çmime: lindore 35 franga (ose 40 mijë lekë), dhe jugore e veriore nga 29 franga (33 mijë lekë). Për fëmijët, çmimet janë paksa më të ulëta dhe shkojnë deri në 17 franga (19 mijë lekë).