Αναζήτηση στο site

Επαφή

www.syzesipress.com
syzezi berat albania

6975825173

sollakugr@yahoo.com

Δημοσκόπηση

Kush fiton ndeshjen

Σύνολο ψήφων: 77

KUPA E SHQIPERISE

2014-03-26 20:35

Kupa-e-madhe11Barazim pa gola në Vlorë, cka i shkon përshtat Skënderbeut. Kjo ndeshje s’iu përgjigj interesimit të tifozëve, apo pritshmërive të publikut, edhe pse pati momente sporadike ku vlonjatët tentuan të bënin “zotin e shtëpisë”. Megjithatë, rastet ideale për gol në portat respektive munguan, ndërkohë që portierët ishin në lartësinë e duhur. Kampionët e vendit në fuqi arritën ta menaxhojnë me qetësi dhe pjekuri lojën hap pas hapi, duke e lënë kundërshtarin të kontrollonte topin, por pa efikasitet, në “zona të vdekura”. Sa u përket situatave të skuadrave, në formacionin vlonjat rikthehej Abilaliaj, që pati një problem dëmtimi dhe nuk luajti në Kukës fundjavën e shkuar, ndërsa të gjithë lojtarët e tjerë ishin gati për Gjokën. Riktheheshin edhe Veliu e Lena, të cilët nuk luajtën në Kukës për shkak kartonësh. Te Skënderbeu sakrifikoi edhe Shkëmbi, që nuk donte ta humbiste kurrsesi këtë takim kaq domethënës kundër Flamurtarit. Kapiteni është rikuperuar në një kohë rekord, duke thyer çdo pritshmëri, madje duke befasuar edhe stafin e ekipit. Numri 10 i Skënderbeut ka zhvilluar një lojë plot rendiment në Vlorë, duke i dhënë një dorë të mirë skuadrës së tij për të dalë pa u mundur nga kjo transfertë. Referuar statistikave, korçarët nuk fitojnë që prej tetorit të vitit 1976 në Vlorë, cka e bën këtë fushë një “tabu” të vërtetë për ta. Asnjëri nga lojtarët aktualë që luajnë për Skënderbeun nuk kishte lindur ende kur kjo skuadër fitonte për herë të fundit në Vlorë ndaj Flamurtarit. Duket disi e çuditshme, por statistikat nuk të lënë të gabosh: bardhekuqtë nuk njohin një fitore në fushën e kuqezinjve si në kampionat edhe në Kupën e Shqipërisë që prej 17 tetorit të vitit 1976, pra 38 vjet më parë. Në triumfin e fundit të korçarëve në stadiumin e Vlorës, ishte epoka e Skënderbeut të emrave të mëdhenj. Në përbërje të bardhekuqve ishin talente të futbollit si: Kaçi, Ballço, Xhambazi, Kërçiçi, Dembo, Qiriazi, Muhazhiri, Tole, Lika, Floqi, Foto Avramushi, Prifti e Aleko Toshi. Ishte kjo skuadër që në sezonin 1976-1977 u shpall edhe nënkampione e vendit me pikë të barabarta (28) me Dinamon, teksa arriti 10 fitore, 8 barazime dhe 4 humbje, por me golavarazh më të dobët se blutë e kryeqytetit: 31-16 përkundrejt 25-16.
Emocione të shumta në Kukës. Plot pesë gola të shënuar në “Zeqir Ymeri”, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, luajtur mes verilindorëve të Starovës dhe durrsakëve të Biturkut. Fitojnë kuksianët me rezultatin 3-2, por këto shifra nuk japin ndonjë garanci për kualifikimin, kur dihet se kthimi do të konsumohet në “Niko Dovana”. Dy gola në fushë kundërshtare në kësi ballafaqimesh, shtuar këtu edhe goditjen shtyllave dy herë, do të thonë shumë për potencialin e Teutës. Në këtë mënyrë, “djemtë e detit” kanë dalë mjaft të kënaqur nga kjo transfertë, duke qenë disi më pranë finales. Pavarësisht kësaj, asgjë nuk është e mbyllur, duke ia lënë “stafetën” gjysmëfinales së kthimit, e caktuar të zhvillohet pas dy javësh në qytetin bregdetar.

Skenderbeu-FlamurtariFlamurtari-Skënderbeu  0-0
FLAMURTARI: Mocka, Sakaj, Dushku, Veliu, Mici, Telushi, Lena, G.Lika, Shehaj (Pepa 76′), Zeqiri, Abilaliaj. Trajner: E.Gjoka
SKENDERBEU: Shehi, Radas, Bici, Arapi, Dimo, Lilaj, Muzaka, Shkembi, Alikaj (Tomic 87′), Pejic, Ribaj. Trajner: M.Josa
Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Doda, R.Avdo
Kartonë të verdhë: Sakaj 17′, Bicaj 76′ / Arapi 18′, Dimo 88′
Pjesa e parë Në prani të mjaft tifozëve vlonjatë, të dyja skuadrat duken të tendosura për të mos i hapur rrugën njëra-tjetrës. Sidomos vendësit, që duhet të sigurojnë dicka pozitive dhe premtuese për gjysmëfinalen e kthimit, teksa Kupa e Shqipërisë konsiderohet kompeticioni që mund të shpëtojë edicionin. Referuar kronikës së lojës, duhej të vinte minuta e 6-të, që të regjistrohej rasti i parë në portat respektive. Shkëmbi, afër vijës ballore të zonës së portës vlonjate, ekzekuton një goditje dënimi, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të Mockës. Një minutë më pas, Pejic pason bukur për Alikajn, që futet në dyluftim me Mockën. Të dy pësojnë dëmtim dhe duhet ndërhyrja e stafeve mjekësore për t’iu ardhur në ndihmë. Mici pason një top të gjatë paralel me vijën anësore për G.Likën, që në afërsi të këndores kroson në zonën korcare. Atje ngrihet në ajër Bici, duke spastruar gjithcka, para se Abilalaij të vihej në zotërim të topit. Kronometri i kryesorit Pashaj shënon minutën e dhjetë në këtë moment.  Tre minuta më pas, Flamurtari fiton një goditje dënimi afër mesit të fushës. Telushi e harkon topin në zonën korcare, por atje ndërhyn Shehi mbi të gjithë, duke zotëruar topin dhe evituar cfarëdolloj rreziku. Loja vijon pa rrezikshmëri nga të dyja palët, megjithatë nuk mungojnë ndërhyrjet e ashpra. Kjo e detyron pashajn që në një minutë, 18’, të japë dy kartonë të verdhë. Fillimisht për Sakajn, që i ndërhyn në mënyrë të parregullt Dimos, pastaj edhe Arapit, që godet me bërryl Telushin. Pas minutës së 20-të loja zhvillohet e qetë dhe e kujdesshme, edhe pse Flamurtari kërkon të marrë iniciativën. Sidoqoftë, nuk ka rrezik serioz në portat respektive. Shkëmbi në “kullën e regjisë” së Skënderbeut filtron cdo top që adresohet për te dyshja e tij e sulmit, Pejic-Ribaj, ndërsa në fazën difensive juglindorët shtrëngojnë radhët para Shehit. Gilman Lika ka në këmbët e tij mundësinë e parë të rrezikshme për të tijtë. Në minutën e 22-të, shkodrani merr një pasim pas krahëve të mbrojtjes korcare, por i hiqet topi nga Radas në momentin final, kur do të godiste drejt portës së Shehit. Në pjesën e mbetur të pjesës së parë shënohen edhe dy moment për t’u nënvizuar. Kapiteni Shkëmbi tenton përmes një goditjeje nga distance kuadratin e Mockës, por topi kalon ngjitur m,e shtyllën pingule, nmdërsa në fund të 45 minutave të para bën të njejtën gjë Ablialiaj, duke sjellë panik te korcarët. Topi qeth traun e portës së Shehit.
Pjesa e dytë Ka pothuajse të njëjtën tablo sin ë pjesën e parë. Kuqezinjtë janë më kërkues dhe tentojnë ta zhvendosin lojën në gjysmëfushën kundërshtare, aty ku miqtë kanë forca të shumta, duke e mbajtur portën e Shehit të paarritshme. Josa i ka udhëzuar të tijtë të jenë të kujdesshëm për të mos pësuar gol, pastaj përmes kundërsulmit të shpresojnë tek ndonjë “okazion” i krijuar nga vlonjatët. Këta të fundit shohin përpara me forca të shumta, duke krijuar herë pas here boshllëqe në prapavijë, ku Ribaj dhe Pejic janë gati të ndëshkojnë. Për kronikë, në minutën e 52-të ekzekuton bukur një goditje dënimi Telushi, e fituar nga Gilman Lika në dyluftim me Bicajn, por topi rroket pa problem nga Shehi. Kundërpërgjhigjet Alikaj në minutën e 60-të, por “sfera” fluturon larg kuadratit të mbrojtur nga Mocka. Trajneri Gjoka vendos të bëjë zëvendësimin e parë në minutën e 76-të, teksa shton një forcë të mirëfilltë sulmuese, si pepa, duke ulur në stol Shehajn, në hije. Shtohen përpjekjet e kuqezinjve në kërkim të zhbllokimit të rezultatit të bardhë, por Shehi dhe mbrojtja e tij janë në lartësinë e duhur, duke zgjidhur me sukses cdolloj situate. Të gjendur para presionit për ta fituar medoemos këtë ndeshje, bregdetarët e Gjokës bien pre e një loje episodike, pa pasur fantazi dhe befasi, cka ia lehtëson punën Skënderbeut, që qetë-qetë administron gjithcka dhe bën që ndeshja të shkojë sipas “muzikës” së tyre. Barazimi pa gola në Vlorë u shkon shumë përshtat kuqebardhëve, të cilët e kanë në dorë të tyre tashmë kualifikimin. Pas dy javësh, më 9 prill, ata do ta konsumojnë para tifozëve të vet gjysmëfinalen e kthimit, me besimin se do të jenë ata në finale. Gjysmën e punës e kanë bërë mjaft mirë, duke dalë pa pësuar gol nga Vlora, cka shtron rrugën e një kualifikimi në kthim, në qytetin e Korcës.
Plasin premiot te Flamurtari, ja shifrat Drejtuesit e klubit dhe sponsorët nuk u premtuan gjatë takimit të djeshëm ndonjë premio lojtarëve të Flamurtarit. Por, nëse dy takimet gjysmëfinale ndaj Skënderbeut kalohen me sukses, ato nuk do të mungojnë. Edhe pse ende nuk konfirmohet zyrtarisht, mësohet se nëse vlonjatët arrijnë të kalojnë në finalen e Kupës së Shqipërisë, donatorët do të vendosin një premio nga 30 deri në 50 milion lekë të vjetër për ekipin. Nga ana tjetër konfirmohet se premiot do të jenë të pranishme edhe gjatë ndeshjeve të mbetura të kampionatit, ku në rast fitoreje ekipi mund të marrë 10 milionë lekë të vjetër ose më shumë. Vlonjatët nuk po kalojnë një moment të mirë. Atyre do t’u duhet të luftojnë fort deri në fund për të siguruar mbijetesën në Superiore.


Kukesi-TeutaKukesi-Teuta  3-2
Golat: Izucuku 4′, Hysa 77′, Cikalleshi 83′ / Ahmataj 8′, Jakupi 89′
KUKESI: Halili, Smajli, Brahja, Malota, Hallaci, Progni, Allmuca, Izucuku (Musolli 88′), Hoxha, Cikalleshi, Boja (Hysa 73′). Trajner: S.Starova
TEUTA: Rizvani, Idrizaj (Dosti 58′), T.Osmani, Ahmataj, Da Silva, Nika, Hodo (R.Hoxha 90′), Dosti, Batha, Xhafaj (Joel 69′), Samb. Trajner: I.Biturku
Gjyqtarë: L.Jemini, R.Cokaj, G.Qirici
Kartonë të verdhë: Malota 55′, Izucuku 88′ /  Samb 39′, Ahmataj 43′, Da Silva 66′, Rizvani 75′

Pjesa e parë Kukësi e nis praktikisht me gol që nga “tuneli”. Sapo është ekzektuar topi nga mesi i fushës për të nisur kjo gjysmëfinale e parë e Kupës së Shqipërisë, vendësit shpalosin orientimin e tyre të qartë sulmues. Në sulmin e parë drejt portës së Rizvanit, Izucuku, i ardhur në merkaton e janarit nga Bylisi, shënon dhe ngre në delir tifozët verilindor. Ekzaltohet edhe stafi teknik i Kukësit, sepse nisje më të mirë nuk mund të kishte. U duk se mësymja e nënkampionëve të vendit nuk do të ndalej, por gjithcka shkon në një ekuilibër loje, falë rikuperimit të shpejtë psikologjik që i kanë bërë vetvetes durrsakët. Ata nuk e humbasin toruan nga disavantazhi i shpejtë, përkundrazi, ndërtojnë një “rrjetë” me shumë futbollistë në mesfushë, duke tentuar t’i mbajnë vendësit sa më larg portës së tyre. Kjo strategji funksionon, sepse amortizon dukshëm vrullin dhe dëshirën e madhe të Kukësit për të shënuar gola të tjerë, ndërkohë që maksimalizon nivelin e reagimit të miqve. Mbrojtësi Ahmataj, i ardhur në ndihmë të sulmit, finalizon në minutën e 8-të një aksion koral e me shumë pasime të të tijve. Ai godet saktë dhe barazon rezultatin. Më tej, i pari që i afrohet golit të avantazhit është sulmuesi Samb, që godet shtyllën e portës së Halilit në minutën e 15-të. Devijimi i numrit 1 të kuksianëve është vendimtar në mosprekjen e rrjetës. “Flakë për flakë” kundërpërgjigjet Izucuku, që godet me kokë në ecje e sipër, i gjendur në zonën e vogël të portës durrsake, por topi kalon ngjitur me shtyllën e Rizvanit.  Në minutën e 23-të kemi një dyluftim në zonën kuksiane mes Malotës dhe Xhafajt, me vlonjatin që rrëzohet dhe pretendon penallti. Kryesori Jemini i tërheq vëmendjen për simulim, duke e paralajmëruar për ndëshkim me të verdhë në rast përsëritjeje. Dy minuta më vonë është kosovari Yli Hoxha, që futet nga e majta e ofensivës së të tijve drejt qendrës dhe godet fort nga distanca, por prêt në pozicion Rizvani. Pas gjysmorës së parë të ndeshjes, Teuta merr në dorë zotërimin e topit, teksa e qarkullon dendur atë, me pasime të shkurtra. Nika nga e majta, i mbështetur nga Da Silva, bëhet furnizues i rregullt me pasime të përpikta për sulmin e tij, ku Samb e vë në pozitë të vështirë prapavijën vendëse. Kukësi kujtohet në minutën e 34-t me Pognin, që lëshon një sulr drejt portës durrsake, por Rizvani tregon edhe në këtë moment vigjilencën dhe reflekset e tij. Dhjetë minutat e fundit rikthejnë në “vitrinë” Kukësin, teksa Sokol Cikalleshi e detyron Ahmatajn, rojen personale, të bëjë dy ndërhyrje të gabuara radhazi dhe të ndëshkohet me karton të verdhë në minutën e 43-të. Një minutë para mbarimit të pjesës së parë, sulmuesi kavajas i Kukësit lëshon një predhë të vërtetë nga goditja e dënimit, që grushtohet paksa, por mrekullisht, nga Rizvani, aq sa për ta kaluar ngjitur me trekëndëshin e portës durrsake. Verilindorët i afrohen ndjeshëm golit, por portieri mik u thotë “jo” atyre, duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me barazimin 1-1.
Pjesa e dytë Nis pa zëvendësime, teksa miqtë janë të prirur të administrojnë lojën dhe rezultatin, të ulin sa të jetë e mundur nivelin e reagimit kuksian, edhe duke vonuar lojën, me qëllim që të dalin me një rezultat sa më të mirë në këtë transfertë. Të besuarit e Starovës, megjithatë, i “japin gaz” ndeshjes, duke qenë të përhershëm me aksionet e tyre në gjysmëfushën e “djemve të detit”. Përmes krosimeve nga të dyja krahët drejt zonës së vogël të portës së Rizvanit, Starova tenton të shfrytëzojë goditjet me kokë të shtatlartëve të tij, por mbrojtja e Teutës është e pakalueshme. Në mi nutën e 56-të, Jakupi i afrohet fare pranë golit, gati për t’i dhënë “knock out”-in Kukësit. Pas krosimit nga goditja e dënimit të Ahmatajt, topi shkon në zonën e Halilit, ku Jakupi godet me kokë traun e portës vendëse. Drithërima te verilindorët, që mund të kishin pësuar golin e një eliminimi të sigurtë. Biturku bën zëvendësimin e parë. Del Idrizaj dhe futet Dosti, duke kaluar në skemën 4-4-2. Durrsakët nuhasin një paqëndrueshmëri dhe paqartësi taktike në lojën e kuksianëve, ndaj tentojnë të marrin maksimumin, sipas deklarimit para ndeshjes, për ta siguruar kualifikimin në finale që në “Zeqir Ymeri”. Keqkuptim i pafalshëm mes Rizvanit, Osmanit dhe Jakupit në minutën e 64-t, që lëshojnë topin nga zotërimi dhe Boja ka mundësinë e artë për ta kaluar Kukësin në avantazh. Megjithatë, sulmuesi nigerian është i pavëmendshëm dhe nuk e shfrytëzon dot këtë “okazion”. Biturku bën edhe zëvendësimin e dytë në minutën e 69-të, duke kërkuar më shumë freski dhe më tepër shpejtësi. Për këtë gjë hidhet në lojë Joel, në vend të Xhafajt. Starova, nga ana e tij, akoma nuk ka kryer ndonjë lëvizje në formacion, edhe pse skuadra e tij nuk po funksionon si duhet. Pak më shumë se dhjetë minuta ka në dispozicion edhe Hysa, sulmuesi shtashkurtër, por që rezulton tejet efikas në minutën e 77-të. Atë nuk e markon dot Osmani, duke i dhënë mundësinë të sapofuturit në lojë të kalojë kuksianët në avantazh, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij. Entuziazëm i madh në shkallët e stadiumit, sepse fitorja tashmë u buzëqesh atyre. Megjithatë, nuk do të mbaronte këtu misioni i verilindorëve, sepse nuk mund të mungonte në këtë triumf kavajasi Cikalleshi, që u duk se vulosi shifrat 3-1 për të tijtë në minutën e 83-të, duke i dhënë tjetër përmasë suksesit të skuadrës së Starovës. Mirëpo, një tjetër mbrojtës durrsak i ndëshkon verilindorët. Pas Ahmatajt është Jakupi, ai që i jep zgjidhje lëmshit të krijuar në zonën e Halilit, pas goditjes nga këndi, duke e dërguar topin në rrjetën e vendësve. Ngushtohet disavantazhi, ndërsa kjo “rrjetë” është me shumë peshë për shanset e kualifikimit. Finalja duket më pranë Teutës, duke patur parasysh se ndeshja e kthimit do të luhet në “Niko Dovana” pas dy javësh, aty ku skuadrës së Ilir Biturkut i nevojitet edhe një sforco e vogël për të arritur misionin. Dy golat në transfertë janë një siguri e madhe për kualifikimin, ndërsa Kukësit do t’i duhet shumë punë në kthim, për të qenë ai në finale e këtij kompeticioni dhe mos i “larë duart” me kupën që në gjysmëfinale, si vitin e shkuar.
Kukësi, 50 milionë lekë premio për kualifikimin Elis Bakaj erdhi si shpresë te Kukësi, por lojtari nuk arriti të merrte lejekalimin nga UEFA. Sulmuesi pritej të përfitonte rreth 50 milionë lekë për tre muaj te Kukësi. Duke qenë se kjo shumë nuk u dha pasi lojtari nuk luajti, 50 milionëshi i planifikuar për Bakajn do të konvertohet në premio për ekipin. Madje, para ndeshjes me Tiranën, është lakuar shpërblimi në fjalë i akorduar nga presidenti Gjici. Normalisht që rroga e planifikuar për Elis Bakajn do të shpërndahet si shpërblim, në rast se Kukësi do e kalojë Teutën. Shpërblimi i akorduar nga presidenca është i lartë, pasi me një llogari të thjeshtë i bie që çdo pjesëtar i skuadrës të përfitojë rreth 2 milionë për kokë, nëse shuma ndahet në proporcion të drejtë.


Burimi: