Shtubina ka shënuar golin e Vllaznisë që nga goditja e këndit në minutën e 18-të, ndërsa Ervin Bulku ka barazuar “in extremis”, në minutën e katërt të kohës shtesë. Vec dy rrjetave, kjo përplasje ka pasur edhe shumë momente të tjera kulmore. Nga të cilat, dy herë është ndërprerë ndeshja, si pasojë e irritimit të tifozërive. Në rastin e parë janë hedhur sende të forta në fushë (shishe plastike dhe ndenjëse të stadiumit), ndërsa në rastin e dytë nuk është kursyer as presidenti i Tiranës, Refik Halili. Ai është goditur me dicka në fortë në kokë kur po mundohej të qetësonte situatën, duke u gjakosur. Gjithcka nis pas një momenti të diskutueshëm në zonën e Vllaznisë në minutën e 76-të, kur Bakaj ndërpritet nga kapiteni Beqiri. Kryeqytetasit kërkojnë te gjyqtari penallti, por lushnjari Alla nuk është i këtij mendimi. Kontestimi kalon në shkallët e stadiumit, aty ku ndodhet tifozëria bardheblu, e cila kërkon tërheqjen e skuadrës nga fusha. Dhe kështu ndodh për gati dhjetë minuta, kur trajnerë, drejtues e lojtarë të 24 herë kampionëve të vendit mundohen të paqtojnë mbështetësit e tyre. Mision tepër i vështirë ky, edhe me ndihmën e policisë. Sidoqoftë, pas dhjetë minutash rrëmujë, kur u godit në kokë edhe Refik Halili, ndeshja rifillon me të njëjtin temp e grintë nga të dyja palët. Ervin Bulku do të kurorëzonte djersën e të tijve në limitin e gjithckaje, duke mposhtur në minutën e katërt shtesë të pakalueshmin Selimaj. Përplasjet e tifozërive kanë vijuar edhe pas ndeshjes, përreth stadiumit, ku forcave të rendit u është dashur shumë punë për të evituar ndonjë “Vaterlo” të vërtetë. Tifozët e Tiranës ishin në qendrën e shënjestrës së tifozëve vendas, të cilët i qëllonin me gur nga jashtë statdiumit. Të detyruar, tifozët kryeqytetas u futën në fushën e lojës, por edhe aty kishte tifozë vendas që tentonin t’i sulmonin, ndërkohë që aty shikoheshin fare pak policë. Mësohet se ka pasur jo pak të lënduar.
Ndeshja – Klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, ka rikthyer në numër të shumtë tifozët në shkallët e “Loro Boricit”. I ashtuquajtuyri “lojtari i 12-të” ka qenë një mbështetës i fuqishëm i të dyja skuadrave, por sikurse thamë më lart ka krijuar mjaft problematika në vijimësi të lojës. Antagonizmi është i lartë në tapetin e blertë dhe në shkallët e impiantit sportiv shkodran që në vërshëllimën e parë të kryesorit Laver Alla e deri në fund. Tirana vinte në transfertën e parë për këtë kampionat e plotë, me 6 pikë, pas fitoreve me Apoloninë dhe Flamurtarin, ndërsa Vllaznia e relaksuar disi pas suksesit pararendës në Durrës. Pra, në planin psikologjik, të dyja palët ishin në ditë të mirë. Skuadrat mbartin elementë cilësorë në përbërjet e tyre, sidomos ajo bardheblu, por në këtë supersfidë të luaftuar fort ka vendosur ai gol i Ndriqim Shtubinës, realizuar direkt nga goditja e këndit. Ka qenë pikërisht minuta e 18-të, kur mesfushori kuqeblu do të adresonte për krosim këndoren, e cila ka marrë një trajektore të cuditshme, duke përfunduar në rrjetën e portës së Frashërit. Hezitim i pafalshëm i mbrojtjes kryeqytetase, që ishte e angazhuar në mbulimin një për një të kundërshtarit, por edhe i portierit të Tiranës. Stadiumi shpërthen si një vullkan, kuqeblutë janë në delir. Gjithsesi, reagimi i 24 herë kampionëve të vendit është i fuqishëm. Ata arrijnë ta spostojnë lojën në gjysmëfushën e vendësve, por vuajnë në finalizim. Kagere, Bushic e të tjerë shpërdorojnë raste mjaft ideale për t’i barazuar shifrat. Portieri Selimi bëhet shpëtimtar i të tijve me pritjet spektakolare. 45 minutat e para mbyllen me epërsinë minimale të shkodranëve. Fraksioni i dytë nis me ndryshime te Tirana. Magani hedh menjëherë në lojë Ervin Bulkun, që kishte pësuar lëndim gjatë grumbullimit me kombëtaren. Ofensiva e Tiranës është e furishme. Sulmet nuk kanë të sosur drejt kuadratit kuqeblu, por sërish sulmuesit kryeqytetas nuk e kanë shënjestrën e duhur. Vllaznia tërhiqet disi pas, edhe e detyruar nga presioni i lartë bardheblu, por nuk harron të dalë shpejt në kundërsulm. Kruja dhe debutuesi uruguajan Sosa mbahen nën mbikqyrje të rreptë nga Curri e Muca, gjithsesi, duke mos lejuar ndonjë rrezik tjetër serioz për Frashërin. Kalimi i minutave e rrit presionin te lojtarët në fushën e lojës, por edhe në tribunat e tifozërisë. Në minutën e 68-të hidhen shishe plastike, ndizen tymuese dhe ka fyerje në kor, ndaj ndeshja ndërpritet për gati 6 minuta. Tirana nuk pajtohet kurrsesi me disavantazhin, ndaj nuk e heq “këmbën nga gazi”, ndërkohë që Bulku i ka dhënë tjetër frymëmarrje mesfushës kryeqytetase. Raineri fillon të mendojë për mbrojtjen e rezultatit, ndaj bën lëvizjet e duhura, duke shtuar forca në prapavijë.
Ndërpreja - Në minutën e 76-të, Tirana tërhiqet nga fusha e lojës. Trajneri Magani i fton lojtarët e tij të mblidhen te stoli i skuadrës së tij, ndërkohë që tensioni te tifozëria bardheblu është tepër i madh. Ata kanë pretenduar për një penallti në dëm të Bakajt, pas ndërhyrjes së kapitenit Beqiri, një emër të cilës kontestojnë me të gjitha mënyrat. Policia mundohet të vendosë qetësi në pjesën ku ndodhen tifozët kryeqytetas, ashtu sikurse bën edhe Magani e donatori Refik Halili, që ka zbritur nga tribuna e “Loro Boricit”. Ky i fundit është goditur në kokë në këtë moment, ndaj i është dashur stafit mjekësor ta fashojë. Ervin Bulku ka lënë fushën e blertë dhe është futur mes tifozëve bardheblu për të shuar sadopak gjakrat, gjë e cila është bërë e mundur pas gati 10 minutash. Loja rifillon dhe Kagere shënon në portën e Selimajt, por anësori ka ngritur më parë flamurin për pozicion jashtë loje. Lojtari në fjalë gjendet i vetëm përballë Selimajt në kohën shtesë, por portieri kuqeblu është sërish i pakalueshëm, heroi i vërtetë për të tijtë në këtë ndeshje me shumë tension deri në minutën e katërt shtesë. Në limit të gjithckaje, Ervin Bulku ka arritur të shënojë e të barazojë, duke evituar humbjen në transfertën e parë të këtij kampionati.
TE PLAGOSUR DISA TIFOZE DHE 4 POLICE
Mësohet se janë plagosur disa tifozë dhe 4 policë. Policët e plagosur janë Pjeter Bungaja, Gjergj Dodani, Tahir Lekndreaj dhe Agim Lokja, ndërsa mësohet se ata u transportuan me urgjencë në spital. Blutë e Shkodrës kanë qëlluar në ajër me armë për të shpërndarë tifozët, por kjo ka qënë e kotë pasi raportohet se sherri është zhvendosur edhe jashtë stadiumit. Tifozët kanë thyer xhama e kanë dëmtuar makina të shumta, ndërsa policia në pamundësi për t’i shpërndarë ka futur brenda stadimit tifozët e Tiranës, me shpresën se do të largohen tifozët e Vllaznisë. Pas 20 minutash situata është normalizuar.
VLLAZNIA: DËNOJMË DHUNËN, TIFOZI YNË RËNDË
Për ngjarjen ka reaguar edhe Klubi i Futbollit Vllaznia. Administriatori Neritan Kalamishi ka dënuar dhunën në stadium duke u shprehur se një situatë e tillë ka mbizotëruar eDhe në ndeshjen e prillit. “Dënojmë dhunën në stadium. Edhe në ndeshjen e prillit ka pasur të tillë atmosferë. Kemi marrë masa që para ndeshjes, prandaj kërkuam praninë e policisë dhe ambulancave. E kishim parashikuar një situatë të tillë”, – shprehet ai.
Më tej, Kalamishi shton se një një tifoz i Vllaznisë ndodhet në gjendje të rëndë.
NIKOLLA: KY TURP NUK DUHET TË PËRSËRITET MË
Për incidentin mes tifozëve në Shkodër ka reaguar edhe ministria e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, e cila shprehet se dhuna nuk ka asnjë lidhje me sportin. “Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes Vllaznia-Tirana në stadiumin “Loro Boriçi” është një turp për të gjithë ne,” – thekson Nikolla në reagimin e saj në Facebook. Sipas saj, “dhuna nuk ka asgjë të përbashkët me sportin. Dhuna nuk ka asgjë të përbashkët me dashurinë për sportin dhe për futbollin”.
Ajo në postimin e saj kërkoi marrjen e masave për të mos ndodhur më ngjarje të tilla. “Masa urgjente duhet të merren pa neglizhuar asnjë përgjegjësi! Ky turp nuk duhet të përsëritet më!”
POLICIA: AUTORËT E DHUNËS PARA PËRGJEGJËSISË
Policia e Shtetit ka reaguar e një deklaratë për situatën e tensionuar të krijuar në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës por edhe jashtë tij ku u përleshën tifozët e Tiranës dhe Vllaznisë.
“Situata në stadiumin e Shkodrës tashmë është normalizuar. Në sajë të ndërhyrjes së forcave të policisë u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, duke e normalizuar atë, megjithëse pati të lënduar nga forcat e policisë. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë të gjitha masat për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të akteve të dhunës”, – thuhet në deklaratën e policisë.
Po sipas Policisë së Shtetit do merren masa edhe për organizatorët e këtij aktiviteti.
FSHF DENON DHUNEN E SHKODRES
Federata Shqiptare e Futbollit, e shqetesuar per ngjarjet e renda te ndodhura ne ndeshjen e javes se trete te Kampionatit kombetar te Superliges, Vllaznia-Tirana luajtur ne stadiumin “Loro Borici” te qytetit te Shkodres, kerkon ti beje me dije opinionit publik dhe mediave te interesuara se: Denon ashper cdo akt te dhunshem, i cili demton lojen dhe prish imazhin e futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit garanton se te gjitha organet e drejtesise sportive, mbeshtetur ne rregullore, do te denojne energjikisht veprime te tilla. Institucioni i futbollit shqiptar do te kerkoje mbledhjen e tyre dhe marrjen e vendimeve sa me shpejt te jete e mundur.
Federata Shqiptare e Futbollit kerkon nga Policia e Shtetit qe te marre masa te forta per te siguruar mbarevajtjen normale te ndeshjeve te futbollit. Pa nderhyrjen e saj profesionale, organizatoret e ndeshjes e kane te pamundur te kontrollojne veprimet e dhunshme neper stadiume. Per kete arsye, ajo kerkon nderhyrje energjike nga ana e Policise se Shtetit per te frenuar te gjitha aktet e dhunshme te cilat vetem prishin imazhin e futbollit. Policia dhe Prokuroria duhet te ndalojne shkaktaret e kesaj dhune dhe ata te denohen sipas ligjeve ne fuqi. Nuk mund te penalizohet futbolli per hir te disa individeve te dhunshem dhe te papergjegjshem.
FSHF kerkon edhe nga sportdashesit, qe te distacohen nga veprime te tilla te dhunshme, qe s’kane asnje lidhje me lojen e bukur te futbollit, por vetem e shkaterrojne ate.