PER HERE TE PARE SHQIP:PRAP KOSOVARET?
Mesnatën e sotme, duke gdhirë e hëna do të bëhet ndarja e çmimeve “Oscar”. Për herë të parë kandidat për këtë çmimin është edhe një film ku flitet shqip, “Shok”.
“Të pranishëm në ceremoni do të jenë regjisori, Jamie Donoughue, producentët, Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott si dhe protagonistët Lum Veseli dhe Andi Bajgora, të cilët kanë nisur një faqe të re për Kosovën dhe industrinë e filmit kosovar.
Që nga nominimi i filmit Shok’, filmi dhe Kosova kanë pasur shumë vëmendje në të gjitha mediat kombëtare dhe ndërkombëtare duke cilësuar këtë film si favorit të kategorisë ‘Best Live Action Short Film’ gjë që ka ngritur shtetin e Kosovës në këmbë dhe na kanë bërë jashtëzakonisht të lumtur që jemi dëshmitar të këtij suksesi”, njofton përmes një komunikate Qendra Kinematografike e Kosovës
Veç kësaj Leonardo DiCaprio pritet të marrë në shtëpi për herë të parë çmimin “Oscar” si aktori më i mirë. Ndërsa filmi “The Revenant” pritet të triumfojë.
Sezoni është dominuar nga debati i madh mbi racizmin, pasi Akademia akuzohet për përzgjedhjen e shumë pak aktorëve me ngjyrë si kandidatë për të triumfuar, si dhe nga fakti që në prag të ceremonisë ende nuk shihet një pretendent i qartë për çmimin më të rëndësishëm të filmit më të mirë.