Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar ditën e sotme se duke filluar që nga ndeshja me Armeninë, do të aplikojë një risi të nevojshme sa i përket biletave të ndeshjes. Duke filluar nga sot biletat për takimin ndaj Armenisë janë në shitje online dhe kushdo mund ta sigurojë biletën e tij mjaft thjesht pa pasur nevojë të presë në rradhë nëpër sportele në ditët afër ndeshjeve. Biletat online shiten përmes një sistemi të sigurisë së lartë. Çdo person mundet të blejë vetëm një herë bileta online dhe maksimumi është 3 copë. Blerja e çdo bilete shoqërohet me plotësim të të dhënave të personit që do e përdorë biletën, si emri dhe numri i telefonit. Tërheqja e biletave të blera online mund të bëhet nga data 20 deri më 28 mars pranë zyrave të FShF-së.