Αναζήτηση στο site

Επαφή

www.syzesipress.com
syzezi berat albania

6975825173

sollakugr@yahoo.com

Δημοσκόπηση

Kush fiton ndeshjen

Σύνολο ψήφων: 77

Sula: Nga Edison Ypi

2015-12-10 10:31

Sula

 

Në kafenenë e një lavazhi buzë autostradës, ulur, vetëm, kafe, cigare, rrathë tymi, muri përballë. Kështu e njoha Sulën e sertë me sytë me shkëndija. Sula është trembëdhjetë vjeç. Sula ka zbritur nga Kuksi. Sula nuk kishte lindur në dhjetor të nëntëdhjetës. Sula ka bërë pesë klasë shkollë. Sula është fukara. Sula është fëmijë i gjashtë. Sula ka baba të verbuar në minierë. Sula është ngjizur gjatë viteve të verbërisë atërore. Sula është bir i pasionit të errësirës. Sula ka vëllezër e motra shumë, asnjë në punë. Sula, babai i Sulës, nëna e Sulës, vëllezërit e Sulës, motrat e Sulës, kanë ndërtuar një barrakë të vogël buzë autostradës. Sula nuk di ç’bëhet në qytet, nëpër shkolla, nëpër libra, nëpër disko, nëpër gazeta, nëpër televizora. S'e ha meraku Sulën për të tilla. Ka halle Sula. Sula nuk rri kot. Sula punon gjithë ditën. Sula ndërton jetën duke vrarë vdekjen. Sula u bën bunkerëve atë që bombat nuk ua bëjnë dot; u heq hekurin. Me hekurin e vdekjes Sula fiton 1 euro në ditë. Sula punon, fiton, jeton, mendon në një kilometër autostradë. Ç’nuk i shohin sytë e ç’nuk i dëgjojnë veshët vogëlushit të mprehtë, fukarait, punëtorit të palodhur Sulë. Ja halabaku me makinë tek po vjen me dyqind në orë. Dje një makinë shtypi dikend duke kapërxyer murin e autostradës. Tre qen shqyen makinat në atë kilometrin ku Sula mbijeton. Tre ditë ndenjën mishrat e shqyer të qenve mbi asfalt derisa i shplau shiu. Sula sheh me çudi si një plakë e cila e ka shtëpinë andej autostradës dhe kullotat këtej po mëson lopët të kalojnë mbikalimin. Sulës i vjen për të qeshur dhe për të qarë kur sheh një hallexhi që ka hipur mbi murin ndarës të autostradës me një frigorifer dhe po pret një rast fatlum për t’u hedhur matanë pa përfunduar nën rrotat e ndonjë Benzi. Sula e di çfarë bëhet brenda hoteleve aty pranë, por Sula nuk bëzan, Sula nuk flet, vetëm shikon, vetëm dëgjon, vetëm punon, vetëm vrenjtet, vetëm mendon. Sula i sheh dhe i njeh të gjithë fluturimthi; familjarin që vete në plazh, banditin me makinë të shtrenjtë, italianin a gjermanin që nguten për në aeroport, kosovarin nga targa, fillestarin që e nget makinën dredha-dredha. Nga të gjitha këto Sula edhe zbavitet, por më tepër kalitet, rritet. Kur po çarmatoste një bunker vdekjeje Sulën e preku një nga ato makinat e shpejta. E preku dhe iku. Prej disa ditësh Sula po rri në shtëpi. Njërin vesh e ka të zënë me pambuk. Njërin sy pothuajse të mbyllur. Tjetrin sy të ënjtur. Buza i ka ikur pak mënjanë. Por nuk epet, nuk dorzohet, nuk ligshtohet Sula. Sula nuk është qaraman. Sula veç trimërohet, veç burrërohet. Horra, morra, hajduta, kodosha, minj burokrata, pis analista, bosh opinionista, budallenj ministra, shtazë deputeta, ruhuni nga Sula. Aty e keni. Mos thoni nuk e dinim kur tua presi gurrmazin. Biçak të mprehtë Sulë. Hajt, fillo. Hiqe pambukun nga veshi dhe gjëmo. Hape syrin e mbyllur dhe shkrepëti. Drejto buzën dhe buçit. Nuk ka burrë me të ndalë ty Sulë. Nuk ka mur që nuk shemb ti Sulë. Nuk ka beton që nuk shkatërron ti Sulë. Nuk ka mal që nuk sheshon ti Sulë. Nuk ka të zezë që nuk e zbardh ti Sulë. Zoti të ndihmoftë Sulë.