Vllaznia fiton në limit me Skënderbeun dhe ngjitet e 7-ta në renditje. Një gol i Ndriçim Shtubinës në të 89- ën ka nderuar shkodranët dhe u ka shkaktuar kështu korçarëve humbjen e parë pas afro 4 muajsh (konkretisht më 09.11.2013 ndaj Bylisit). Kuqeblutë e drejtuar nga Haxhiosmanoviç kanë marrë një trepikësh shprese për mbijetesën, edhe pse mes polemikash. Një moment i dyshimtë në aksionin e golit ka sjellë reagime të ashpra nga ana e korçarëve. Megjithatë, në fund Vllanzia ia ka dalë dhe me këtë fitore e sheh veten jashtë zonës së ftohtë. Për momentin ka pikë të barabarta me kuqezinjtë e Vlorës, nga 32 të tilla, duke ndarë mes tyre vendein e 7-të dhe të 8-të në klasifikim. Kësisoji, pas javës së 26-të të Superiores, kapërcyelli i “Parajsës” dhe “Ferrit” në Superiore i mbetet Tiranës. Fjala është për vendin e 9-të, i cili të zbret një kategori më poshtë bashkë me Bylisin e përjashtuar nga gara tashmë, dhe dy skuadra të tjera. Për momentin dhe sipas të gjitha gjasave, edhe Lushnja me Kastriotin duket se do t’i thonë lamtumirë Superiores, edhe pse kanë akoma shpresa minimale matematikore, ndërsa lufta e madhe do të përqendrohet për të evituar vendin e 9-të. Veç Tiranës, e cila pozicionohet në këtë vend aktualisht, rrezikojnë po ashtu Flamurtari, Vllaznia dhe Besa. Javët e mbetura të kampionatit do të jenë plot ankth për skuadrat në fjalë, të cilat duhet t’i bëjnë llogaritë edhe “jashtë fushe”, me të ashtuquajturat aleanca…
VLLAZNIA-SKËNDERBEU 1-0
GOLAT: Shtubuna 89′
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Beqiri, Sykaj (Tafili 46′), Vukçeviç, Boci, Shtubina, Bushiç (Kraja 91′), Kruja, Gocaj, Belisha (Nikoliç 72′), Hajdari; Trajner: D.Haxhiosmanoviç.
SKËNDERBEU: Shehi, Radas (Sahiti 84′), Bicaj, Arapi, Shkëmbi, Tomiç (Alikaj 65′), Lilaj, Muzaka, Dimo (Tahiri 91′), Ribaj, Pejiç; Trajner: M.Josa.
KARTONË I VERDHË: Gocaj 59′ Shtubina 89′/ Radas 44′
DELEGAT: Bujar Pregja (Tiranë)
VËZHGUES: Astrit Canaj (Durrës)
GJYQTARET: B.Ziri, E.Veseli (Fushë-Krujë), R.Avdo (Tiranë)
MINUTAT
1′ Shtubina vepron bukur nga e majta, pason te Bushiç që gjuan dhe pret Shehi.
6′ Vukçeviç gjuan me kokë dhe pret sërish Shehi.
21′ Bushiç gjuan me kokë, por portieri i Skënderbeut shpëton portën e tij nga një gol më se i sigurt.
25′ Vukçeviç provon me një goditje potente me kokë, por nuk gjen kuadratin.
33′ Pas një lëmshi në zonë, Radas për pak sa nuk shkakton një autogol në portën e tij.
36′ Tomiç gjendet i zbuluar brenda zonës shkodrane, por topi kalon vetëm pak centimetra larg portës së mbajtur nga Vujadinoviç.
48′ Bushiç tenton me kokë, por topi përfundon jashtë kuadratit.
55′ Bushiç provon sërish me kokë, por jashtë.
58′ Hajdari jep një inkursion nga e djathta, por topi nuk devijohet as nga Bushiç e as nga Shtubina, duke parakaluar pa problem gjithë pasqyrën e zonës.
64′ Bushiç kërkon një parabël me kokë nga afro 16 metra, por Shehi bën mrekullinë teksa dërgon topin në goditje nga këndi.
72′ Hajdari gjuan nga larg, por grushton Shehi.
76′ Muzaka pason saktë nga e majta e sulmit të Skënderbeut për Shkëmbin, i cili gjuan bukur por topi përplaset në traversë.
89′ Vllaznia nis një sulm të shpejtë nga mesi i fushës, Hajdari dhe Shtubina janë vetëm me mbrojtësin Sahiti. Hajdari pasi merr bukur topin, futet në zonë, pason te Shtubina, që nga fare pranë portës nuk gabon dhe shënon, 1-0.
Pjesa e parë Ndeshja ka nisur e shpejtë për shkodranët, të cilët kanë kërkuar që në minutat e para avantazhin. Shtubina, heroi i takimit, ka pasuar saktë që në sekondat e para për Bushiç. Sulmuesi gjuan fort, por Shehi pret pa problem dhe largon rrezikun. Sulmet e shkodranëve shtohen, teksa Bushiç e Vukçeviç dy herë me radhë kanë kërkuar që të gjejnë portën e kampionëve, por Shehi e ka ruajtur të paprekur rrejtën. Miqtë janë “zgjuar” vetëm pas minutës së 35-të, kur Tomiç kishte të gjitha shanset për të kaluar miqtë në avantazh. Mirëpo, gjuajtja e tij ka kaluar vetëm pak centimetra larg kuadratit të mbrojtur nga Vujadinoviç. Ka edhe disa tentativa deri në fund të këtij fraksioni, që nuk përbëjnë kurrfarë rreziku. Për pasojë, 45 minutëshi mbyllet pa gola.
Pjesa e dytë 45 minutëshi i dytë i lojës ka nisur me ndryshime në formacionin e Vllazninsë, teksa “Deda” nxjerr Sykajn dhe në vend të tij aktivizon Tafilin. Një lëvizje kjo për t’i të dhënë një mbështetje më të madhe manovrës sulmuese për shkodranët. Edhe kjo pjesë nis me shkodranët më kërkues, të cilët vazhdimisht vizitojnë portën e mbrojtur nga Shehi. Dy herë me radhë Bushiç shfaqet kërcënues me dy goditje me kokë, por pa rezultat. Ndërsa shansin më ideal Vllaznia e ka në të 58- ën me anë të Shtubinës, i cili nuk arrin që të devijojë një top të lëshuar nga Hajdari nga e djathta, edhe pse në pozicion të prirët. Megjithatë, kuqeblutë nuk dorëzohen dhe vazhdojnë të tentojnë. Në të 64-ën Bushiç me një parabël me kokë nga 16 metra e çon topin në drejtim të portës, por grushtimi akrobatik i portierit të Skënderbeut bën mrekullinë. Hajdari shfaqet i rrezikshëm me gjuajtjet e tij, por Shehi është në një ditë të shkëlqyer. Korçarët janë në hije, madje rastet e tyre janë me pikatore. Aksioni më serioz vjen në minutën e 76 me anë të një kundërsulmi të shpejtë nga e djathta, teksa kapiteni Shkëmbi gjuan me finesë, por topi për fatin e shkodranëve përplaset vetëm në tranversë. Vllaznia për pak sa nuk ndëshkohet, si shpeshherë në këto takimet e fundit. Në 10 minutat e fundit të takimit, tekniku Haxhiosmanoviç kalon përpara edhe mbrojtësin malazez Nikola Vukçeviç për t’i krijuar më shumë hapësirë ofensivës. Pas një presioni të vazhdueshëm, në të 89-ën minutë vjen edhe goli i shumëpritur që çon peshë të gjithë stadiumin “Loro Boriçi”, i cili ishte i tejmbushur. Ka faull në mesfushë, Vukçeviç ndërhyn ashpër ndaj Dimos dhe të dy mbeten në tokë, por gjyqtari sinjalizon që aksioni të vazhdojë. Rast që rezulton fatal për Skënderbeun. Hajdari merr kontrollin e topit, pason për te Shtubina dhe ky i fundit nga fare pranë portës, nuk fal por e dërgon topin drejt e në rrjetë. Ka kontestime nga ana e korçarëve, por deri në fund asgjë nuk ndryshon.
MË I MIRI
Ndriçim Shtubina ka qenë padyshim lojtari më i mirë në fushën e lojës. Jo vetëm prej golit të shënuar, por mbi të gjitha për lojën e zhvilluar. Mesfushori ishte një nga “punëtorët” e skuadrës së tij. Ndërsa nota më e lartë te Skënderbeu shkon për Orges Shehi. Portieri ishte vendimtar me ndërhyrjet e tij, duke ruajtur të paprekur portën, edhe pse deri në minutën e 89-të.MË PAK AKTIVI
Zljeko Tomiç dhe Pejo Pejiç, dyshja kroate e skuadrës së Skënderbeut, nuk kanë qenë në një ditë të mirë. Këta futbollistë, edhe pse në stadiumin “Loro Boriçi” shpeshherë kanë bërë mrekulli, dje kanë qenë larg pritshmërive. Sulmuesi nuk u shfaq kurrë i rrezikshëm para portës së mbrojtur nga Vujadinoviç, ndërsa mesfushori ishte në hije për minuta të tëra.
Haxhiosmanoviç: Fituam me fat!
Trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, e ka cilësuar një fitore me fat atë të djeshmen kundër Skënderbeut. “Kemi pasur fat. Golin e shënuam në fund, çka na ngushëllon disi, por megjithatë ne duhet të kishim shënuar më përpara. Duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se asnjë fitore e jona nuk mund të shihet me sy kritik në pozitat ku jemi. Fitorja është fitore dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ishte e rëndësishme, sepse ne arritëm të ecnim më tutje, t’i marrim ndeshjet të gjitha me radhë dhe të luftojmë si duhet që të arrijmë objektivin tonë. Morali i ekipit ka qenë pika më e fortë e gjithë skuadrës, e cila luajti me shpirt deri në fund të ndeshjes, duke këmbëngulur deri sa arriti të nxirrte në dritë golin e fitores. Unë e kam thënë që në fillim se ne duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Kështu si luajtëm në këto dy takime, shpresojmë të luajmë edhe në ndeshjet e tjera për të marrë rezultatin e dëshiruar, që do të na çojë patjetër në zonën e shpëtimit në të tabelën e klasifikimit”, – deklaroi “Deda” pas ndeshjes.
Josa: Kur nuk shënon, do ta pësosh
Trajneri i Skënderbeut është i pakënaqur me arbitrimin në ndeshjen e djeshme, por ndërkaq ka pohuar se skuadra e tij nuk i shfrytëzoi rastet dhe kur nuk shënon, atëherë e pëson. “Normal që ishte një ndeshje e vështirë. Vllaznia donte me domosdo tri pikët, të cilat arriti dhe i mori. I uroj suksese Vllaznisë dhe mbarësi për të ardhmen! Kam thënë që kampionati nuk ka mbaruar akoma, por skuadra ka ditur gjatë të gjithë kohës që ta menaxhonte situatën. Do të vazhdojmë punën dhe, sa më shpejt të sigurohet titulli, aq më mirë për ne. Prandaj, edhe skuadra jonë luajti me këtë nivel, sepse kemi ndeshje shumë të vështira. Kështu e ka futbolli, kur nuk shënon, do ta pësosh. Gjërat e tjera i patë vetë në fushë se çfarë ndodhi. Në shkallët e stadiumit ishte një atmosferë e shkëlqyer dhe skuadra ua shpërbleu që fitoi. Tifozët bënë detyrën e vet. Nuk merrem asnjëherë me arbitrat. Edhe kur kam qenë trajner i Shkodrës, nuk jam marrë asnjëherë me arbitra. Shihni vetë, bëjeni vetë analizën e ndeshjes”, – tha Josa.
Heroi Shtubina, “maniak” ushqimi dhe makinash
Ndriçim Shtubina, heroi i takimit me Skënderbeun, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka folur jo vetëm për fitoren e merituar të skuadrës në përballjen me korçarët, por edhe për anët e tij personale. Lidhjet e forta me familjen dhe preferencat e tij në sport dhe jashtë tij.
Një fitore me shumë vlera kjo e arritur ndaj Skënderbeut…
Çdo fitore është e bukur, por kur kjo arrihet ndaj një skuadre si Skënderbeu, kampione e vendit dhe e ardhur në minutat e fundit, është me të vërtetë shumë e bukur dhe tepër e vyer. Pritej që të ishte një përballje e vështirë për ekipin tonë dhe e tillë ishte deri në momentin e fundit. Megjithatë, kur vjen trepikëshi gjithçka harrohet.
Mendoni se kjo fitore ka bërë që Vllaznia të jetë më e qetë për mbijetesë?
Mbijetesa për ne në këtë sezon do të vazhdojë deri në momentet e fundit. Vetëm në vërshëllimën e fundit të këtij kampionati mund të themi se kemi hedhur tej këtë ankth që na ka mbërthyer.
Mendoni se ky është momenti i kthesës te Vllaznia?
Mendoj se po marrim rezultatet pozitive që na kanë munguar. Kemi luajtur edhe herë të tjera mirë dhe nuk kemi arritur që të marrim maksimumin, ndërsa tani na kanë mbërritur dy fitore ndaj skuadrave me shumë emër.
Mund të thuhet se kjo është periudha më e mirë në aspektin personal për Shtubinën?
Mund të them se tani kam shënuar gola decizivë për ekipin dhe kjo ka ndikuar shumë pozitivisht edhe për mua personalisht. Megjithatë, nuk mendoj se është periudha më e mirë e gjithë karrierës sime, kam pasur edhe më të mira dhe shpresoj që të jem edhe më mirë në të ardhmen.
Keni shënuar dy gola në dy takimet e fundit, madje ai me Laçin ishte spektakolar. A ishte ai goli më i bukur i karrierës së deritanishme apo keni shënuar gola të tjerë?
Mund të them se ai me Laçin, nisur edhe nga distanca se ku e mora topin, ishte më i bukuri. Megjithatë, gjatë karrierës sime kam pasur edhe gola të tjerë. Por ai i Laçit do të mbahet mend gjatë.
Përherë nën fanellën e Vllaznisë, mbani një tjetër me foton e babait tuaj. Mos është ky njeriu që ju ka nxitur në rrugën tuaj?
Pa diskutim që ka qenë nxitësi numër një i imi në karrierën time. Ai edhe tani që nuk jeton më është inspiruesi im. Tani familja ime, nëna, gruaja, djali im tremuajsh dhe vëllezërit janë nxitja ime në punën e përditshme. Familja është gjithçka për mua. Këto gola kanë qenë një përkushtim si gjithmonë për babanë, por edhe për djalin tim tremuajsh, Andrisin.
Shtubina si Mesi, një krahasim që ju pëlqen shumë, mos ndoshta ky i fundit është edhe idhulli juaj në futboll?
Krahasimi është shumë larg, por me të vërtetë që Mesin e kam idhullin tim në futboll. Ndërsa në futbollin shqiptar vlerësoj shumë golashënuesin më të mirë të të gjithë kohërave të Vllaznisë: Vioresin Sinanin.
Po trajneri juaj më i preferuar?
Mund të them se kam tre trajnerë, të cilët më kanë nxitur dhe dinë të më nxisin në punën time. Më bëjnë që të luaj atë lojë që unë preferoj. Ata janë Edmond Lutaj, të cilin e kam pasur te Flamurtari. Tekniku i sotëm që më stërvit, Dervish Haxhiosmanoviç dhe trajneri që kam shumë për zemër është Mirel Josa.
Po skuadra juaj e preferuar jashtë futbollit shqiptar?
Interi. Jam tifoz me këtë skuadër, e kam ndjekur që i vogël dhe shumë dëshirë. Por edhe kjo skuadër si ne po kalon periudhë shumë të keqe.
Cili është hobi i Shtubinës?
Kam pasur makinat. Ndërsa tani, e thashë edhe më lart, familja është gjithçka për mua. Jam i dhënë shumë pas tyre.
Ka objektiva që Shtubina sezonin tjetër për ndonjë skuadër jashtë vendit?
Nuk mund të them asgjë tani për këtë çështje. Dua që të vazhdoj me Vllazninë. Nuk mund të them ndonjë gjë, nëse kjo skuadër larg qoftë të jetë jashtë Superiores.
Cili është miku juaj më i mirë?
Arsid Tafili, me të e kaloj pjesën më të madhe të ditës kur jam larg familjes.
Së fundmi, çfarë ushqimi preferoni?
Në ushqim jam pak i vështirë, sidomos kur jam larg familjes. Më pëlqejnë ushqimet e shtëpisë. Si nëna dhe gruaja ma mbajnë dorën në këtë drejtim. Nuk kam preferenca, pasi ha gjithçka të gatuar mirë.
Dimo: Ishte faull i dukshëm
Amarildo Dimo ka ironizuar në maksimumin gjyqtarin e takimit që, sipas tij, ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes së djeshme. Ai ka vënë theksin te faulli që ka ndodhur në dëm të tij në ato sekonda kur edhe ekipi u ndëshkua me gol. “Një gjykim që duhet marrë shembull. Të tillë gjyqtarë gjynah që nuk arbitrojnë në Champions Ligë. Nuk di sesi mund të jetë një faull më shumë se ai që u bë në dëmin tim. Gjyqtari ndikoi drejtpërdrejtë në rezultatin e këtij takimi”, – ka thënë Dimo pas përfundimit të ndeshjes.
Rajoviç gëzon me ekipin
Blazho Rajoviç ka gëzuar së bashku me ekipin fitoren e djeshme ndaj Skënderbeut. Malazezi, i cili katër vite më parë shënonte dy nga tre golat e skuadrës së Vllaznisë ndaj Skënderbeut, që asaj kohe ishte për mbijetesë, por që do të zhvlerësoheshin pas atij gabimi protokollar, është ndjerë mjaft mirë që skuadra e tij arriti këto tri pikë shprese.Polemikat me gjyqtarët
Drejtuesit korçarë kontestojnë gjyqtarët pas ndeshjes. Pas hyrjes në ambientet e brendshme të stadiumit “Loro Boriçi”, ata dhe lojtarët kanë fyer e kanë replikuar me tone të ashpra me arbitrat. Kjo ka bërë që delegati i takimit, Bujar Pregja, të kërkojë që forcat e rendit të vënë rregull dhe të pengojnë çdo person që afrohej. Megjithatë, nga sa mësohet, polemikat dhe debatet janë mbyllur shumë shpejt, pasi korçarët lanë tunelin dhe iu drejtuan dhomave të zhveshjes.Spektakël në tribuna, 7 mijë tifozë
Spektakël në tribuna dhe brohoritma për plot 90-minuta. Mbi 7000 tifozë kanë mbështetur ekipin e tyre në këtë përballje me kampionët dhe në fund kësaj here kanë marrë shpërblimin e shumëpritur, fitoren, që ka mbërritur vetëm në minutat e fundit. Stadiumi u “çua peshë” në momentin e golit, pasi të marrësh tri pikë të arta në të 89-ën nuk është pak. Tifozëria shkodrane kishte tejmbushur dje stadiumin “Loro Boriçi”, duke dëshmuar se ky qytet është i dashuruar me futbollin dhe mbi të gjitha me ngjyrat kuqeblu. Ajo ka ditur të motivojë në çdo moment ekipin deri në vërshëllimën e fundit. Ndërsa dje, ndryshe nga takimi i fazës së parë, të pranishëm nuk ishin ultrasit korçarë.Goli lindi nga një faull ndaj korçarëve
Dyshime të forta për aksionin e golit të Vllaznisë, që i dha fitoren 1-0 ndaj Skënderbeut. Në minutën e 89-të, në një dyluftim në mesfushë, Nikoliç në përpjekje për të kapur topin, godet me takë në gjoks Dimon, por gjyqtari Ziri vazhdon lojën dhe nga ky aksion vjen goli i Shtubinës. Në bazë të pamjeve filmike, gjyqtari duhet të kishte ndalur lojën dhe të akordonte goditje dënimi në favor të miqve për ndërhyrje të gabuar të Nikoliçit.
ADMIR URUÇI