Samir Ujkani nuk do jetë më pjesë e Kombëtares shqiptare. Gazeta Panorama Sport ka arritur të zbulojë detajet e fundit të komunikimit mes portieri kosovar me pasaportë shqiptare të Palermos dhe trajneri të ekipit tonë përfaqësues, Xhani De Biazi. Dje, Ujkani i ka dërguar një mesazh në telefon teknikut italian ku i kërkonte, që të mos grumbullohej më nga Shqipëria. “Mirëmbrëma! Kam vendosur që të mos vij më në Kombëtare! Paçi fat….!”, i ka shkruar portieri teknikut kuqezi. Në mënyrë disi të hidhur dhe jo profesionale për një lojtar që deri para pak kohësh luante në Serinë A në Itali, por që ka veshur edhe për plot 18 herë fanellën kuqezi, Ujkani është mjaftuar me një mesazh të shkurtër, duke ç’bërë gjithë besimin që pat marrë nga Shqipëria e futbollit dhe tekniku italian. Kjo gjë, natyrisht ka nervozuar jo vetëm De Biazin, por edhe drejtuesit e FSHF-së.
Kosova – Sakaq, largimin e Ujkanit nga Shqipëria, tashmë te Kosova e ka konfirmuar edhe menaxheri i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi, gjatë një prononcimi për gazetën kosovare, “Sport Plus”. “Kam biseduar personalisht me Ujkanin dhe më ka thënë se ka zgjedhur përfaqësuesen e Kosovës. Për këtë është normale që është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, për ndeshjen miqësore kundër Haitit”, – ka thënë Bushi. Zgjedhja e “gardianit” nga Vushtrria ka bërë që ai të mos ftohet nga kuqezinjtë për takimin kundër Maltës. “Nuk e kemi ftuar, pasi ai dëshiron të luajë për Kosovën. Nuk besoj se do të grumbullohet në takimet e ardhshme”, ka theksuar më tej menaxheri kuqezi.
Të tjerët - Ndërkohë, Bushi ka folur edhe për mbrojtësin Loret Sadiku, i cili flitet se është ftuar nga Kosova për miqësoren kundër Haitit më 5 mars në Mitrovicë. “Përveç Ujkanit, të gjithë lojtarët e tjerë nga Kosova do vazhdojnë të luajnë për Kombëtaren shqiptare. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë informacion se dikush tjetër mund të largohet nga Kombëtarja. Kjo vlen edhe për Sadikun”, – është shprehur Bushi. Sakaq, ky i fundit ka thënë se do vazhdojnë të grumbullojnë lojtarë kosovarë për grupmoshat. “Ne do respektojmë çdo vendim të lojtarëve. Do vazhdojmë të grumbullojmë lojtarë të rinj nga Kosova, siç kemi bërë deri tani. Nuk frikësohemi se lojtarët mund të largohen. Është dëshira e tyre të qëndrojnë në Kombëtare shqiptare apo jo. Ne jemi gëzuar që Kosovës i janë lejuar ndeshjet miqësore”, – ka thënë Bushi. Kosova më 5 mars do të luajë ndeshjen e parë miqësore zyrtare kundër Haitit, derisa Shqipëria do të përballet me Maltën.
Portieri te Kosova, inatoset tekniku italian
Pranimi i ftesës së trajnerit të Kosovës, Albert Bunjaku, nga Samir Ujkani nuk duket se është pritur mirë jo vetëm nga federata jonë, por edhe nga trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi. Mësohet se ky i fundit është shqetësuar dhe nervozuar njëkohësisht më së pari me faktin se lojtari nuk është konsultuar fare me teknikun dhe federatën për këtë vendim, kjo nisur edhe nga fakti se Ujkani është pjesë e ekipit tonë përfaqësues. Pavarësisht se në ndeshjet e gjysmës së dytë të sezonit të kualifikimeve për Botërorin 2014 ai ishte veçse zëvendësuesi i Berishës. Natyrisht, kjo erdhi jo vetëm për shkak të formës së shkëlqyer të portierit aktual të Lacios, por edhe prej performancës nën nivel të Ujkanit, sidomos në ndeshjen ndaj Islandës në Tiranë.
Kosova fton edhe Lorik Canën ndaj Haitit
Federata Kosovare e Futbollit ka ftuar edhe kapitenin e Shqipërisë, Lorik Cana, për ndeshjen miqësore të 5 marsit. Lajmi është bërë i ditur nga mediat italiane (“sportevai.it”), sipas së cilave, vetë presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, ka kërkuar që katër ambasadorët e futbollit kosovar: Adnan Januzaj, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami dhe Lorik Cana të jenë prezent në këtë ndeshje. Gjatë festimeve për 6-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, presidentja vlerësoi kontributin e këtyre futbollistëve në imazhin pozitiv që i kanë dhënë Kosovës në botë. Sakaq, duhet thënë se bëhet fjalë për një ftesë simbolike dhe jo për një impenjim me kohë të plotë të këtyre katër lojtarëve me përfaqësuesen e Kosovës, pasi edhe vetë drejtuesit e shtetit më të ri në Europë e kanë të qartë se që të katër këta lojtarë, për momentin nuk shikojnë që të ndërrojnë ngjyrat e ekipeve kombëtare. Ca më pak Lorik Cana, i cili më shumë se një herë ka pohuar se do të qëndrojë deri në fund te Shqipëria, madje duke pohuar se ai është “për një komb, një kombëtare”.
Edmond Lutaj: Berishën nuk e zbuloi De Biazi, ja e vërteta
Etrit Berisha nuk është zbuluar për herë të parë nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. Ndonëse ky i fundit nuk ka lënë rast pa e përmendur këtë fakt, tjetër gjë pohon Edmond Lutaj, ish-lojtar dhe ish-trajner i Flamurtarit dhe disa skuadrave në Suedi. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Lutaj ka theksuar se ka qenë pikërisht ai që ia ka sugjeruar federatës në fillim Etrit Berishën dhe më pas vijuan bisedimet dhe pajisja e dokumentacionit të lojtarit. Lutaj thekson se nuk ka për qëllim që të polemizojë me trajnerin aktual të Kombëtares, apo që t’i ulë atij vlerat e padiskutueshme, por thjesht të tregojë një të vërtetë ashtu sikundër është.
Etrit Berisha është njeriu i momentit në Kombëtaren tonë, ndërkohë që ju keni pasur mundësi ta kishit në skuadër shumë kohë në parë, po… çfarë ndodhi?
Etrit Berishën e kam dëgjuar si emër shumë kohë më parë. Ma pat rekomanduar Albert Bunjaki, trajneri aktual i përfaqësueses së Kosovës, për herë të parë para 9-10 vitesh. Ai donte që unë ta merrja tek Asyriska, skuadër të cilën e drejtoja në atë periudhë në Suedi. Duke qenë se unë dhe Bunjaki kishim goxha konfidenca, natyrisht edhe rekomandimi ishte në nivel shoqëror.
Pse nuk e morët në skuadër?
Sepse atëherë ai ishte në moshë të vogël, një portier pa shumë përvojë, ndërkohë që unë kërkoja një tjetër tip lojtari, me më shumë eksperiencë, të cilit mund t’i besoja ndonjëherë edhe portën.
U penduat më vonë?
Po, të them të drejtën po. Me kalimin e kohës, kur e pashë te Kalmari, e kuptova se kisha të bëja me një talent të vërtetë. Etriti filloi të aktivizohej te Kalmari, mirëpo me telatin që kishte, arriti t’i zërë vendin edhe një portieri me eksperiencë, suedez për më tepër, që quhej Peter Vasto. Në atë kohë kontaktova me Skënder Gegën, një mik i imi mbi të gjitha, i cili sapo kishte filluar të drejtonte Shpresat e Shqipërisë. Me Nerin, gjatë një takimi, diskutuam për lojtarë që atij mund t’i shërbenin në skuadër, kjo nisur edhe nga fakti që në Suedi ka pasur dhe ka shumë lojtarë kosovarë e shqiptarë, të cilët luajnë edhe në skuadrat e moshave.
Çfarë i thatë Skënder Gegës?
I sugjerova Etrit Berishën. I thashë ta shikonte se më dukej një lojtar interesant. Por, Neri më rekomandoi menjëherë që unë të flisja direkt me z.Armand Duka për këtë çështje. Dhe kështu ndodhi. Kur unë u largova në dhjetor të 2011-së nga Shqipëria, pata një bisedë me z.Duka dhe ndër të tjera i prezantova edhe emrin e Berishës.
Po presidenti Duka si e priti rekomandimin tuaj?
Shumë mirë. Di që ia kaloi këtë ide timen Redi Jupit për ta ndjekur me të gjitha procedurat që nevojiteshin.
Po me vetë Berishën patët folur në atë kohë? I patët thënë që të luante për Shqipërinë?
Po, kur erdha në Suedi e kontaktova Etritin. Sapo i thashë, ai u gëzua jashtë mase për interesimin e Kombëtares dhe më pyeti se sa serioze ishte oferta. Unë i thashë që kisha folur direkt me presidentin e federatës dhe nëse ishte i interesuar edhe vetë ai, atëherë federata do ta kontaktonte në mënyrë zyrtare. Në atë moment kur pashë se edhe Etriti ishte dakord, kontaktova direkt me Redi Jupin dhe i dhashë numrin e telefonit të Berishës që ta kontaktonin. Në fakt, kjo lëvizje i shërbeu si Berishës personalisht, edhe Kombëtares. Kjo është historia e vërtetë e rekrutimit të Etrit Berishës në ekipin tonë përfaqësues.
Dakord, por atëherë si është e mundur që këtë gjë De Biazi e “shet” si një zbulim të tijin?
Shikoni, këtë dua ta them me sinqeritet dhe të saktësohet: unë nuk dua të bëj ndonjë polemikë me z.De Biazi, por kjo është e vërteta dhe as më shumë e as më pak. Mua personalisht më ka bërë përshtypje fakti që kam lexuar disa herë deklarata të De Biazit mbi Berishën. Dua të them se çdo njeri duhet të marrë merita që i takojnë për atë punë që bën. Për mua personalisht ishte kënaqësi që Etriti tregoi ato vlera që unë mendoja se i kishte dhe i shërben Kombëtares sonë. Të tjerat nuk kanë shumë rëndësi.
Kalojmë paksa te kampionati shqiptar, e ndiqni rregullisht?
Po, çdo javë dhe mundohem të mos lë as lajmin më të vogël që të më shpëtojë për të qenë sa më i informuar. Sivjet është bërë edhe më tërheqës, pasi vërej një garë shumë të fortë. Janë katër ekipe që bien direkt nga kategoria dhe kjo e ka rritur ndjeshëm luftën sportive. Sakaq, për kreun nuk e shikoj si shumë interesant.
Pse?
Sepse Skënderbeu nuk ka rivalë. Është skuadra më e kompletuar dhe kjo duket edhe në rezultatet që ka marrë.
Pra, e shikoni si të konfirmuar si kampion?
Po, për mendimin tim, po.
Dakord, kush bie nga kategoria atëherë?
Është shumë e vështirë ta thuash me siguri. Aleancat midis klubeve mund të luajnë një rol mjaft të rëndësishëm, nga ku mund të vijnë surpriza të paparashikueshme. Nuk dua të jem i prerë në këtë aspekt dhe do gaboja nëse do bëja një parashikim, por në gjykimin tim, përveç Skënderbeut, Teutës, Laçit dhe Partizanit, të gjitha ekipet e tjera janë të rrezikuara.
Një mendim të fundit për Flamurtarin, vijoni të keni ende raporte me atë klub?
Sigurisht. Ai është klubi im dhe e ndjek me vëmendje. Mendoj se do qëndrojë në Superiore dhe ka një shans real ta fitojë Kupën e Shqipërisë. Nga ana tjetër, vërej se lojtarët e kanë shumë të vështirë ta përballojnë presionin psikologjik që ka në skuadër dhe përreth saj. Gjithnjë ka qenë kështu, por unë uroj që aty gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur